
Të paktën 17 persona raportohet të kenë humbur jetën nga përmbytjet në jug të Turqisë, një tjetër fatkeqësi që goditi vendin pas tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit. Nga zonat e përmbytura vijnë edhe lajme të mira, si shpëtimi i një gruaje shtatzënë apo i një foshnje 1-vjeçare, por pamjet janë vërtet dramatike.
Në një video të publikuar nga agjencia e lajmeve IHA, uji i rrëmbyer shihet teksa ndan rrugën në dysh, ndërsa dhjetëra makina merren përpara dhe rrugë të tjera shndërrohen në lumenj.
Në provincat Sanliurfa dhe Adiyaman, që janë edhe më të prekurat nga përmbytjet, shumica e banorëve jetojnë ende në tenda, pasi shtëpitë iu shkatërruan nga tërmeti, çka vështirëson edhe më shumë gjendjen e tyre. (A2 Televizion)