
Tre persona humbën jetën dhe disa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur në Europë gjatë natës së ndërrimit të viteve për shkak të fishekzjarreve, edhe pse përdorimi i tyre ishte i ndaluar.
Në Holandë, një djalë 12-vjeçar humbi jetën ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë teksa po shihnin një të rritur që ndezi një fishekzjarr, raportuan mediat lokale. Pas ngjarjes një person është arrestuar nga policia. Në total, në vend u plagosën 80 persona nga shpërthimet e fishekzjarreve, raportoi “De Telegraaf”, ku disa persona humbën edhe gjymtyrë.
Në Gjermani, një burrë 37-vjeçar u vra nga shpërthimi i një fishekzjarri në qytetin Henef. Gjithashtu në Gjermani pati disa persona të plagosur, raportoi Agjencia Gjermane e Lajmeve.
Viktima e tretë u regjistrua në Austri, ku një 23-vjeçar mbeti i vrarë nga shpërthimi i një fishekzjarri.
Në Gjermani dhe Holandë përdorimi i fishekzjarreve u ndalua për shkak se autoritetet thanë se nuk donin të rëndonin situatën nëpër spitale, për të lënë punonjësit e shëndetësisë të merreshin me të sëmurët me Covid-19. Por pavarësisht kësaj, njerëzit, sidomos në zonat kufitare, arritën të blinin dhe të përdornin fishekzjarrë natën e ndërrimit të viteve. (A2 Televizion)