
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri më pozitive sesa pritej vitin që lamë pas. Por këtë vit, rimëkëmbja do të jetë më e ngadaltë. Konstatimet janë bërë në raportin “Pasqyra Ekonomike Globale 2021”.
Nga tabelat shihet se rënia ekonomike për vitin 2020 ka qenë -3.5%, në nivele të ngjashme me vlerësimet e bëra nga INSTAT pak ditë më parë prej -3.31%.
Ndërsa për këtë vit, FMN e ka rishikuar në ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Nga +6.1% që ishte vlerësimi i tetorit në +5% në raportin e publikuar sot. Rritja ekonomike pritet të jetë më e ulët në dy vitet në vijim, përkatësisht me 4% në vitin 2022 dhe 3.5% në vitin 2023.
Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në rajon Shqipëria ka rënien më të ulët pas Serbisë, me vetëm -1%. Ndërkohë që shteti më i goditur nga pandemia rezulton Mali i Zi, me -15.2% rënie. Kjo duke pasur parasysh varësinë e madhe të këtij vendi nga turizmi. (A2 Televizion)