
Do të bëjmë maksimumin për një rezultat pozitiv! Kështu është shprehur trajneri Migen Memelli në prag të aventurës europiane.
Vllaznia vijon përgatitjet intevisve në Bosnje Hercegovinë, ku me grupin janë bashkuar dhe përforcimet e fundit, portieri Jurgen Mehidri dhe sulmuesi Bujar Hajdari.
Tekniku Memelli tregoi si po shkojnë përgatitjet e skuadrës, ndërsa theksoi se kuqebluve i duhen dhe disa përforcime.
‘’Kam dëshirë që grupin ta kem më të plotë. Po punojmë intensivisht dhe me drejtorin, edhe me presidentin. Të bëjmë afrime sa më cilësore që skuadra të jetë kompetitive, të ketë rivalitet në skuadër. Gjithsesi, jemi diku te një nivel i kënaqshëm. Po mundohemi të integrojmë dhe të rinjtë, sepse dhe ata janë pjesë përbërëse, po i vëzhgojmë me shumë kujdes. Dita-ditës duhet të konsolidojmë skuadrën, sepse kemi dhe një ndeshje në datën 2, në të cilën mendoj se 90% e skuadrës do të jetë e gatshme. Të shikojmë pastaj javën e fundit për ndeshjen në Belfast”.
Edhe mbrojtësi Esin Hakaj tregoi se atmosfera në skuadër është pozitive dhe djemtë besojnë fort te cilësitë e tyre.
Vllaznia do të përballet me irlandezët e Linfild në datën 13 korrik në transfertë, ndeshja e vlefshme për turin e parë të Conference League. (A2 Televizion)