
Policia e Vlorës ka njoftuar kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në tentativë për t’i shpëtuar policisë, 47-vjeçari Xhevahir Jonuzi, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, hapi zjarr ndaj saj duke u rrezikuar jetën efektivëve, por mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit, banues në fshatin Hoshtimë. Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47-vjeçari Jonuzi ka parë forcat e policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me pistoletë. RENEA i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Gjykata e Vlorës e ka dënuar 47-vjeçarin me 25 vite burg për "vrasje me paramendim". (A2 Televizion)