
Një 3-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Izmir, pas tërmetit të fortë të së premtes, sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve, Anadolu.
Vogëlushja, e identifikuar si Elif Perincek, u shpëtua të hënën në mëngjes, më shumë se 65 orë pas goditjes nga tërmeti shkatërrues.
Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se nëna e Perincek dhe dy anëtarë të tjerë të familjes u shpëtuan më herët, ndërsa fatkeqësisht një nga vëllezërit e vogëlushes ka ndërruar jetë.
Tërmeti që ra, të premten, në detin Egje, shkaktoi mbi 70 viktima, qindra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale në Izmir, qytetin e tretë më të madh për nga popullsia në Turqi.
Më shumë se 900 pasgoditje janë regjistruar që nga tërmeti fillestar, 42 prej të cilave me magnitudë mbi 4, tha agjencia turke e katastrofave.
Tërmeti shkaktoi, gjithashtu, atë që autoritetet e quajtën "mini tsunami", duke bërë që rrugët të përmbyten në Izmir.
(A2 Televizion)