
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka deklaruar në një lidhje me studion e “Ditari” në A2 se “deri tani, Bashkia Shkodër e ka menaxhuar situatën, por në ditët në vijim do të kemi vështirësi.”
Ademi i bëri apel qeverisë që të dërgojë ndihma sa më shpejt: “Jemi organizuar shumë mirë, pasi çdo vit kemi probleme me borën apo përmbytjet dhe kemi ekipe të gatshme për t’u aktivizuar. Njëkohësisht, mbajmë edhe një bankë ushqimore, por pas dy javësh po “rrudhet” mundësia që familjet të përballin jetesën. Në Shkodër ka rreth 20 000 punëtorë të regjistruar në biznesin e vogël dhe kemi pasur kërkesa në bashki edhe nga familjet që nuk janë në nevojë. Nuk e dimë se kur do ta kemi nga qeveria detajimin e ndihmës ekonomike për biznesin. Presioni është rritur edhe në sajë të pritshmërisë që ka publiku, pasi nga kryeministri është thënë që janë nisur ndihmat, por ndihmat nuk kanë ardhur. Izolimi është i padiskutueshëm, por përbën alarm edhe uria. Deri tani është menaxhuar, por në ditët në vijim do të kemi vështirësi. Qeveria të dërgojë ndihma, ose të shpallë emergjencën”.
“Po mendojmë të lehtësojmë në 3 muajt e ardhshëm biznesin me taksat dhe tarifat. Kemi menduar që ta mbulojmë këtë gropë buxhetore me fondet që janë mbetje e vitit 2019. Kemi verifikuar që ekziston mundësia që ta mbushim buxhetin e bashkisë me këtë fond”, theksoi Ademi. (A2 Televizion)