
Ndërsa Australia është e përfshirë nga zjarre të mëdha prej muajsh, Indonezia lufton me përmbytjet. Të paktën 53 vetë kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vërshimeve në rajonin e Xhakartës.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për persona të tjerë, që dyshohet se janë të bllokuar nën baltë.
Reshjet e dendura dhe rritja e nivelit të lumenjve ka zhytur në ujë dhjetëra lagje në rajon, duke shkaktuar rrëshqitje masive të dheut.
Moti i keq që po vazhdon, ndërprerja e energjisë elektrike, por edhe terreni i vështirë, po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit. Rreth 400 mijë persona raportohet se janë strehuar në qendra të përkohshme, si pasojë e motit të keq.
Këto janë përmbytjet më të rënda në zonë që prej vitit 2007 kur 80 persona humbën jetën brenda 10 ditëve. (A2 Televizion)