
Gjykata e Elbasanit ka refuzuar thirrjen e Gazment Bardhit Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet për vrasjen e ish-simpatizantit të Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Për këtë vrasje, akuzohet ish-efektivi i RENEA, Arbër Paplekaj. Kërkesa për thirrjen e tij erdhi nga prokuroria e Elbasanit, pasi Bardhi kishte deklaruar pas ngjarjes se kishte të dhëna që personat që shoqëronin viktimën po jepnin para për blerjen e votës, si dhe po mblidhnin karta identiteti të qytetarëve.
Por sipas Gjykatës së Elbasanit, prokuroria ka pasur të gjithë kohën dhe informacionin e nevojshëm që ta rendiste Bardhin në listën e dëshmitarëve, që në kohën kur u përpilua lista dhe u dorëzua në gjykatë. Me këtë motivacion, gjykata e rrëzoi kërkesën e prokurorisë së Elbasanit për thirrjen e Gazmend Bardhit si dëshmitar. (A2 Televizion)