
I ftuar në A2, juristi Adriatik Lapaj komentoi vrasjen e ndodhur në orët e para të ditës së martë, ku një punonjës policie ekzekutoi një të ri në Tiranë.
Lapaj u shpreh se kjo është një nga ngjarjet më të rënda të tranzicionit shqiptar. “Unë e përjetova keq këtë, pasi kam marrë pjesë në disa protesta dhe jam konfrontuar me policinë. Për mua, është një nga ngjarjet më të rënda të tranzicionit shqiptar, në kuptimin e përballjes së shtetit me qytetarin. Është e rëndë që të ndodhë një ngjarje e tillë nga uniformat e shtetit, nga ata që ne i kemi mandatuar për të na mbrojtur. Policia është një strukturë që gëzon monopolin e dhunës dhe këtë ia kemi dhënë ne përmes Kushtetutës, ligjeve, por gjithmonë në raport me ligjin. Dhuna duhet të përdoret nga policia si një mjet shtrëngimi ndaj atyre të cilët rrezikojnë shoqërinë. Dita e sotme është një ditë e trishtë.
Vë re një nxitim të SHÇBA-së për mënyrën se si është shprehur sepse vepra për të cilën ata referojnë është një vepër relativisht e lehtë, “tejkalim i kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Në gjykimin tim ka vend për vepër tjetër”, u shpreh juristi.
Por, çfarë thotë ligji për kompetencat e një punonjësi policie? “E drejta për përdorimin e armës së zjarrit: Punonjësit e policisë dhe subjektet e tjera, në përmbushje të detyrave funksionale përkatëse mund të përdorin armët e zjarrit nëse nuk ka një mënyrë tjetër. Nga sa na është raportuar sot, nuk kanë qenë sulme të pashmangshme dhe nuk rezulton të ketë pasur një rrezik të lartë për jetën e dikujt, për sa kohë ky djalë ka qenë duke u ndjekur, në vrapim e sipër. Nuk jemi në kushtet për të bërë goditjen me armë”. (A2 Televizion)