
Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Përparim Ademin, për vrasjen e dy motrave, Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, ngjarje e ndodhur në 31 dhjetor 2020 në zonën e Astirit në kryeqytet. Ademi u arrestua disa orë pas ngjarjes makabre, në të cilën ishte dëshmitar edhe djali i njërës prej viktimave. Dënimi përkon me pretencën e Prokurorisë, e cila gjithashtu kishte kërkuar burg përjetë për Ademin.
Gjatë seancave gjyqësore, Ademi ka pranuar se para më shumë se 20 vitesh, kishte nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me Kristinën, e më pas ishte lidhur edhe me motrën tjetër, Zhaneta. Ai pretendon edhe se ka fëmijë me të, por nuk ka regjistruar në gjendje civile.
Ademi figuron edhe ligjërisht i martuar me një grua të tretë, e cila ka pranuar se i dinte lidhjet e të shoqit, madje kishte krijuar miqësi me dy motrat që të mos prishte familjen. I pandehuri ka thënë që krimi ndodhi për arsye xhelozie, sepse kishte dyshime që Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër.
Vrasja e dy motrave
Para se të ngjitej në apartament, Ademi ka marrë njërin nga fëmijët që po luante poshtë pallatit duke e përdorur si karrem për të hyrë brenda. Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë. Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është ai, kanë tentuar të mbyllin derën. Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja plumbash, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë qëlluar motrat Bardhi e Metani. Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik kinez dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Automatiku është gjetur me karikatorit bosh, të cilin e ka zbrazur në trupat e viktimave dhe në banesën e tyre. Përparim Ademi akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. (A2 Televizion)