
Presidenti serb Aleksander Vucic ka mbërritur në Rashkë, vetëm pak kilometra nga kufiri me Kosovën, ku ka takuar një delegacion të protestuesve të serbëve të veriut të Kosovës që prej ditësh po bllokojnë infrastrukturën rrugore.
Vucic e cilësoi si një fitore të vogël por taktike rikthimin në shtëpi nga paraburgimi e ish-policit Dejan Pantic, i akuzuar fillimisht për terrorizëm pas një sulmi në një seli të KQZ-së në veri, që sipas tij Prishtina dëshironte ta shoqëronte nga forcat speciale kosovare, ndërkohë që kjo gjë u krye nga forcat e EULEX.
Vucic i shprehu banorëve që aty pranë kishte 2500 ushtarë dhe policë të gatshëm, por “qëllimi ynë duhet të jetë ruajtja e paqes”.
“Lidershipi në Prishtinë mendon të dëbojnë dhe mposhtin serbët me dhunë dhe nuk mendojnë se duhet të flasim dhe të kërkojmë zgjidhje kompromisi. Edhe ne disa herë kemi bërë gabime të tilla dhe i kemi paguar shtrenjtë”, shtoi Vucic. Presidenti serb shtoi se “probleme të tjera na presim, e dimë me çfarë çmenduri kam të bëj në Prishtinë”.
Në bashkëbisedim, ai foli edhe me Aleksandr Filipovic, ish-kreu i policisë operative në veriun e Kosovës, i cili i shprehu mendimin se “nëse i heqim barrikadat do të na gjuajnë si lepuj”.
Vucic u përgjigj se “edhe kur shkon në luftë, duhet të flasësh, kështu që para se të shkojmë në luftë, le të përpiqemi të flasim. Nëse fillojnë të na gjuajnë si lepuj, atëherë ka mbaruar gjithçka, nuk ka marrëveshje dhe asgjë. Nëse fillojnë, nuk ka më lepuj, ata lepuj bëhen ujqër”. (A2 Televizion)