
Vulgariteti në gjuhën dhe diskursin politik të përdorur mes politikanësh në institucionet më të larta të vendit tonë siç është Parlamenti, është bërë tashmë diçka e zakonshme. Është e vështirë të vësh gishtin mbi fajtorin apo mbi palën që është më banale se tjetra.
Por a po përdoret kjo lloj retorike për të manipuluar mënyrën se si ne i kuptojmë çështjet e vërteta që na shqetësojnë? Dhe në këtë rast të përdorësh sharje dhe fyerje, a është një tjetër strategji që politikanët mendojnë se mund t’i ndihmojë në kauzën e tyre?
Për të diskutuar këtë temë ishin të ftuar në “A2 Debat” Ralf Gjoni, ekspert komunikimi dhe Jonila Godole, studiuese e shkencave të komunikimit dhe pedagoge e gazetarisë, pranë universitetit të Tiranës.
Jonila Godole shprehet se është e kot të thua që politikanët janë pasqyrë e popullin tonë. “Ajo që ndodh aty është e përsëritur dhe nuk ka aspak përmirësim. Kanë miratuar kode sjelljeje, por nuk ndryshon asgjë. Është një nivel shumë i ulët komunikimi. Mbase kjo është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga gjërat reale që shqetësojnë shqiptarët. Po ashtu, është edhe një sëmundje e trashëguar nga e kaluara, pasi merreshim me punët e tjetrit”, u shpreh pedagogia.
“Populli i ka zgjedhur këta dhe janë teatri më i bukur i javës. E enjtja është spektakli më argëtues për të gjithë teleshikuesit e telenovelave turke. Ne kemi dalë nga 500 vjet perandori otomane, dy luftëra botërore dhe një diktaturë nga më mizoret në botë, e cila kultivoi speciet lëpirëse. Nga të dyja anët në Kuvend, edhe e mbështetësve. Ka një aprovim në grup”, u shpreh Ralf Gjoni, ekspert komunikimi. (A2 Televizion)