Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, takoi nga afër trupat e Forcave të Armatosura të dislokuara në mjediset e stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, të cilët i falënderoi për përkushtimin e treguar këto ditë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Në bisedën e zhvilluar me ushtarakët e angazhuar, ministrja Xhaçka premtoi mbështetje më të madhe me pajisje e mjete për strukturat ku ata bëjnë pjesë, për të përmirësuar punën e tyre në rastet e çdo lloj emergjence civile.
“Jo vetëm ju, por edhe kolegët tuaj, ata në uniformë dhe ata pa uniformë që i janë gjendur pranë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi e madhe kombëtare, faleminderit nga zemra gjithsecilit. Bravo ju qoftë! Jeni krenari! Dhe nuk janë vetëm fjalë sa për t’u artikuluar në të tilla raste, por po ju flas me zemër. Unë e kuptoj që sprova si kjo që kemi kaluar janë edhe mësime të nxjerra, për të përmirësuar shumë nga puna që bëjmë edhe për të fuqizuar shumë më tepër strukturat tona. Edhe ato të kërkim-shpëtimit edhe ato të cilat duhet të jenë të dedikuara për emergjencat civile. Pastaj edhe për teknikën dhe mjetet, pajisjet, aparaturat që ju duhen për ta bërë punën tuaj më mirë”, tha Xhaçka.
“Patjetër që sakrifica dhe përkushtimi e profesionalizmi juaj janë të jashtëzakonshme, por duhet t’ju mbështesim më tepër që puna juaj të jetë sa më e mirë, dhe për këtë kemi nisur që tani bashkë me partnerët, jo vetëm siç u thashë të modernizojmë kapacitetet tona me teknikë të re, por edhe të ridimensionojmë të gjithë mënyrën se si kemi organizuar Forcën tonë të Armatosur, për të pasur ekipe të specializuara, të mirëtrajnuara edhe me mjetet e duhura jo vetëm të kërkim-shpëtimit, por edhe të të gjitha fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile me të cilat mund të na duhet të përballemi nga tani e tutje”, shtoi ministrja e Mbrojtjes. (A2 Televizion)