
A2 CNN në bashkëpunim me Investigative Network Albania, vjen nga e hëna, 2 gusht 2021, me një cikël reportazhesh investigativë mbi sigurinë e produkteve ushqimore dhe farmaceutike, bujqësinë dhe subvencionet shtetërore si dhe tenderat publikë.
“Zbulo” sjell një dritare të re informacioni lidhur me ushqimet dhe barnat që qytetarët konsumojnë në përditshmëri, abuzimet me tenderat publikë, si dhe hedh dritë mbi raportin që qeveria mban me bujqësinë në vend.
Reportazhet do të ofrojnë për publikun shqiptar, jo vetëm qartësi lidhur me mënyrën se si ndodhin abuzimet me tenderat publikë apo vështirësitë që hasin fermerët, por edhe mbi qasjen që ka sistemi i drejtësisë lidhur me fajtorët dhe ndëshkimet që marrin këta të fundit.
Çështje të rëndësishme që trazojnë qytetarët çdo ditë, si siguria ushqimore apo subvencionet shtetërore, do të trajtohen me një përqendrim dhe kujdes të veçantë në “Zbulo”, duke ofruar kështu një panoramë qartësuese edhe në tema specifike, si siguria e produkteve të mishit apo naftës falas për fermerët.
Pikëpyetjet marrin përgjigje vetëm në ekranin e A2 CNN. (A2 Televizion)