






Në një sediment nga epoka e akullnajave e gjetur në veri të Groenlandës është zbuluar sekuenca më e vjetër në botë e ADN-së, e cila është 2 milionë vjeçare.
Zbulimi tregon se rajoni polar, sot thuajse krejtësisht i pajetë, dikur ishte i pasur me jetë bimore dhe shtazore. Madje në të jetonin edhe gjitarë të ngjashëm me elefantin, të njohur si mastodonë, por edhe drerë, lepuj të egër, brejtës, dhe plepa e pemë të tjera të ndryshme të larta. Zbulimi u publikua fillimisht në revistën “Nature” të mërkurën.
Gjetjet tregojnë për një ekosistem më parë të panjohur që nuk ka të barasvlershëm në epokën moderne dhe mund të shërbejë si hartë gjenetike për të mësuar sesi specie të ndryshme përshtaten me ndryshimet klimatike.
Shkencëtarët danezë e kanë nxjerrë që në vitin 2006 ADN-në - materialin gjenetik të organizmave që kanë jetuar në atë habitat - buzë një fjordi në Oqeanin Arktik në pikën më veriore të Groenlandës. Më pas ata krahasuan fragmente të ADN-së me ekzemplarë ADN-je të kafshëve të gjalla dhe të zhdukura kohë më parë, si dhe të bimëve e mikroorganizmave. Materialet gjenetike zbuluan dhjetëra krijesa dhe bimë që më parë nuk mendohej se jetonin në këtë territor.
Gjithashtu, studiuesit arritën të kuptojnë se temperaturat në Gorenlandë në atë periudhë duhet të kenë qenë rreth 10 deri në 17 gradë celsius më të larta se sot. (A2 Televizion)