Policia e Kosovës tha se në podrumin e një ndërtese në Mitrovicë të Veriut ka gjetur armë dhe municione.
“Për momentin nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, tha Policia e Kosovës përmes një njoftimi më 27 shtator.
Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni policor në podrumin e ndërtesës afër sheshit Car Lazar u gjetën dy pushkë, 50 fishekë, pranga, maska, këllëfë arme dhe karikator të zbrazët.
Ndryshe, autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Më 18 shtator, policia njoftoi se kishte gjetur armë në Zveçan. Më pas, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveça, deklaroi se armët u gjetën në pronën e njërit prej të akuzuarve për sulmin e 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Një polic i Kosovës u vra pasi një grup serbësh të armatosur se sulmoi Policinë më 24 shtator 2023.
Kosova fajëson Serbinë për këtë sulm. Autoritetet e drejtësisë kanë ngritur akuzë për 45 persona, por vetëm ndaj tre prej tyre po zhvillohet gjykimi, ndërkaq të akuzuarit e tjerë gjenden në arrati./ REL (A2 Televizion)