Fatbardh Kadilli e thotë troç: Do isha i nderuar të kandidoja për Bashkinë Tiranë

Nga A2 CNN
27 Shtator 2025, 16:07 | Politikë

Ish-zyrtari demokrat, Fatbardh Kadilli, është shprehur i gatshëm të kandidonte për Bashkinë Tiranë, nëse do të merrte një ofertë.

Komentet Kadilli i bëri teksa ishte i ftuar në ‘Ditari i Fundjavës’ me gazetarin Indrit Maraku në A2 CNN, ku tha se për ta bërë këtë, do të duhej një bashkim i vërtetë mes forcave opozitare.

Megjithatë, ai shtoi se nuk ishte fjala vetëm për të, por në gjetjen e një projekti përbashkues për opozitën, gjë e cila sipas tij, do të çonte në fitoren e kandidatit të opozitës në Bashkinë Tiranë.

Kadilli vijoi më tej duke thënë se opozitës i duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri.

“Do isha i nderuar të kisha përgjegjësinë e një sfide të tillë për Tiranën. Por kjo si çdo gjë ka një por. A ka një bashkim të vërtetë? A ka një reflektim të vërtetë? A do heqim dorë nga strategjitë dhe makinacionet për të fshehur të vërtetën dhe për të kontribuar të gjithë? A do arrijmë të bashkojmë të gjithë spektrin opozitar? Nëse këto janë të mundshme, unë do isha i nderuar të kisha një sfidë të tillë. Por nuk është fjala për mua. Është fjala për të gjetur një projekt politik përbashkues. Dhe këtu kam parasysh njerëz që kanë vullnetin të kuptojnë.

Ne kemi një PD në degradim në opozitë, kemi disa parti që më saktë janë kryetarë pa parti, kemi edhe një lëvizje radikale majtas, puritane në dukje, që ka ardhur në ngjitje. Dhe sfida e tyre është strategji efektive për ta, për të marrë vota maksimalisht. Dhe ku qëndron avantazhi i tyre? Duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri”, tha mes të tjerash Kadilli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos