
Analizimi i baktereve që shkëmbehen gjatë seksit mes partnerëve mund të përdoret për të identifikuar ata që kryejnë dhunë seksuale. Një studim i fundit i publikuar në “Forensic Science International”, thotë se në bazë të analizës mund të identifikohet saktë përdhunuesi.
"Ideja është që në të ardhmen, të jemi në gjendje të analizojmë bakteret përmes një tamponi vaginal dhe t'i lidhim ato me një individ të saktë," shpjegon Ruby Dixon, koordinatore e studimit
Metoda e re e ideuar nga studiuesit bazohet nga kërkimi në trupin e viktimës në atë që është quajtur “sexome”, ADN bakteriale e organeve seksuale. Për të arritur në përfundimet e tyre, studiuesit mblodhën mostra biologjike nga lëkura e organeve seksuale të gjashtë çifteve heteroseksuale, të moshës 22 deri në 30 vjeç, pasi kishin pasur marrëdhënie seksuale. Sekuenca e gjenomit bakterial bëri të mundur demonstrimin e shkëmbimit të “sexome”, gjurmët e të cilit ishin më të dukshme te çiftet që nuk kishin përdorur prezervativë.
Hetimi i krimeve seksuale është gjithmonë i ndërlikuar, por ndonjëherë është edhe më shumë sepse nuk gjenden gjurmë të ADN-së së përdhunuesit.
Studimi është vetëm në fillim, dhe ka shumë faktorë të tjerë që do të hulumtohen në të ardhmen: "Ne do të duhet të shikojmë se si komunitetet bakteriale ndryshojnë me kalimin e kohës, në përgjigje të ciklit menstrual, higjienës dhe ndoshta faktorëve të tjerë që ne ende nuk i njohim.
"Sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e një teknike të re që ndoshta do të ndihmojë në veprimtarinë mjeko-ligjore", shpjegon Brendan Chapman një nga autorët e studimit. (A2 Televizion)