Zbulohet sekreti i formulës së “përjetësisë” së mumieve në Egjiptin e lashtë

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2023, 10:05 | Lifestyle
Zbulohet sekreti i formulës së

Dylli i bletës, vaji i kedrit, dëllinja, bitumi, rrëshira e pishave dhe e elemit, janë disa nga përbërësit që i kanë bërë të përjetshme mumiet e Egjiptit të Lashtë.

Të përziera në balsam dhe pomada, sipas recetave specifike për trajtimin e pjesëve të ndryshme të trupit të të ndjerit, këto produkte importoheshin nga i gjithë Mesdheu, Afrika tropikale dhe Azia Juglindore.

Këto u zbuluan në një laborator të lashtë balsamimi në Saqqara, i cili doli në dritë pas më shumë se 2600 vjetësh, dhe që daton nga dinastia e 26-të (664-525 p.e.s.). Brenda tij ishin 31 enë qeramike me mbetje të substancave dhe mbishkrime që mbajnë emrin e tyre, si edhe udhëzimet për përdorim. Studimi i gjetjeve, i cili rishkruan të kuptuarit tonë për kiminë e mumifikimit, është publikuar në Nature nga një ekip ndërkombëtar studiuesish.

"Ne i kemi njohur emrat e shumë prej këtyre përbërësve balsamues që kur u deshifruan shkrimet e shenjta të lashta egjiptiane, por deri më tani ne mund të kuptonim se cilat substanca fshiheshin pas secilit emër", komenton një nga studiuesit

Zbulimi i laboratorit Saqqara, i cili u bë në vitin 2016 pranë piramidës së Unasit, përfaqësoi një pikë kthese dhe ishte një surprizë për arkeologët.

Është zbuluar se substanca që egjiptianët e quanin "antiu" është një përzierje nga vaji i kedrit, dëllinja dhe yndyrat shtazore, që studiuesit kanë arritur t'i ndajnë me ndihmën e teknikave si kromatografia me gaz dhe spektrometria e masës.

Krahasimi i substancave të identifikuara me mbishkrimet në kontejnerë bëri të mundur për herë të parë përcaktimin e saktë se cilët përbërës janë përdorur për balsamimin e pjesëve të veçanta të trupit. Për shembull, rrëshira e pishave dhe vaji i kastorit përdoreshin vetëm për kokën e të ndjerit, ndërsa përzierjet e tjera përdoreshin për të larë trupin ose për të zbutur lëkurën.

"Ajo që na befasoi vërtet është se shumica e substancave të përdorura për balsamim nuk erdhën nga Egjipti", thotë arkeologu i Universitetit të Mynihut, Philipp Stockhammer.

"Disa përbërës janë importuar nga rajoni i Mesdheut dhe madje edhe nga Afrika tropikale dhe Azia Juglindore", vuri në dukje ai. Përveç rrëshirës së pishave, vajit të kedrit dhe bitumit, studiuesit gjetën gjithashtu mbetje të rrëshirës së elemit. Këto substanca, tregojnë se si marrëdhëniet tregtare ishin globalizuar pothuajse 3000 vjet më parë. "Mumifikimi egjiptian ndoshta luajti një rol të rëndësishëm në shfaqjen e rrjeteve të para globale", thotë Maxime Rageot nga Universiteti i Tübingen.

"Falë të gjitha mbishkrimeve në vazo, në të ardhmen do të jemi në gjendje të deshifrojmë më tej fjalorin e kimisë së lashtë egjiptiane që deri më tani nuk e kuptonim mjaftueshëm", përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos