Zelensky: Forcat ukrainase kanë çliruar 6 mijë kilometra katrorë

Nga A2 CNN
13 Shtator 2022, 08:37 | Bota
Zelensky: Forcat ukrainase kanë çliruar 6 mijë kilometra

Forcat ukrainase kanë arritur të sigurojnë edhe më shumë territor nga Rusia, teksa vazhdojnë prej ditësh me kundërofensivën. Lajmin e dha vetë presidenti Volodymyr Zelensky, në një video të publikuar vonë mbrëmjen e së hënës, kur theksoi se trupat e tij kanë rimarrë më shumë se 6 mijë kilometra katrorë sipërfaqe, që prej fillimit të shtatorit, kryesisht në lindje dhe jug të vendit.

Vetë Rusia e ka pranuar se ka humbur kontrollin në disa qytete, që ajo vetë i konsideron kyçe, në verilindje të rajonit Kharkiv, në atë që shumë ekspertë ushtarakë e quajnë një thyerje potenciale e Rusisë në luftë.

Moska ka thënë po ashtu se po i tërheq vetë trupat e saj nga këto rajone, për t'i rigrupuar, me synimin që para dimrit, të fokusohet te rajonet lindore, Luhansk e Donjetsk. Edhe nga SHBA-ja, ky shihet si momenti më i turpshëm i Rusisë, që kur tentoi të hynte në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në fund të marsit, ku edhe dështoi.

Duke folur po ashtu të hënën në mbrëmje, sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, tha se forcat ukrainase kanë bërë përparim të rëndësishëm në kundërofensivën e tyre, por është ende herët për të parashikuar një triumf.

Avancimi i ushtrisë ukrainase ka qenë i shpejtë. Vetëm të enjten e shkuar, presidenti Zelensky tha se forcat ukrainase kishin rimarrë 1000 km katrorë, të dielën arritën në 3 mijë e sot janë në 6 mijë km katrorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos