
Sali Berisha reagoi ashpër ndaj kryeministrit Rama, pas videomesazhit të Zelensky-t në parlamentin shqiptar këtë të martë.
Presidenti i Ukrainës kërkoi që Shqipëria të ndalojë turistët rusë gjatë verës në vendin tonë, ndërsa pak ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë do t’i hapë derën të gjithë turistëve të huaj, përfshirë dhe ata rusë. Madje nga 1 maji, ka hyrë në fuqi dhe masa që lejon të gjithë qytetarët rusë që të hyjnë në vendin tonë pa viza.
Ndërkohë, Berisha kritikoi Ramën për deklaratat e tij. “Ka qenë një vendim absurd shpallja dhe ftesa e Edi Ramës për turistët rusë në Shqipëri. Imagjinoni, vrasës, përdhunues, “kainër”, pasi kryejnë masakra të vijnë e të dynden në plazhet tona për të rimarrë veten. Kjo ishte fyerje e rëndë për shqiptarët. Kjo ishte edhe një kërkesë e Presidentit Zelensky. Kërkoj me urgjencë që të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri”, shtoi Berisha.
Ndaj ish-kryeministrit reagoi Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS-së. “Mendoj se Kuvendi kishte një seancë të posaçme dhe për të gjithë ishte i qartë pozicioni i Ramës dhe vlerësimi i Zelensky-t për mbështetjen e ofruar nga Shqipëria. Në këtë aspekt, kashtë mbi tjegulla mund të vendosë gjithkush. Politikanë që e kanë mbyllur kapitullin e tyre nuk mund të vijnë me propozime që nuk kanë vlerë. Agresioni i Rusisë ka bashkuar botën dhe Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat. Unë kërkoj të merremi me gjëra serioze dhe jo deklaratat e një politika që i ka mbaruar koha. Për mua, Berisha nuk ekziston më, tha ai. (A2 Televizion)