
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, i cili e klasifikoi Shqipërinë 20 vende më poshtë nga një vit më parë përsa i përket lirisë së shtypit.
Për kreun e qeverisë në Shqipëri nuk ka media apo gazetarë të intimiduar, duke i quajtur gënjeshtra të dhënat në raport për gazetarë që kanë rënë pre e dhunës policore apo që janë përballur me sulme politike.
“Në Shqipëri s'ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s'ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s'ekziston!
Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre!Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s'dimë ç'të bëjmë me lirinë!
E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj”, shkruan Rama. (A2 Televizion)