
Pasi shfryu gjithë zemërimin e tij në rrjete sociale, takoi “të mëdhenjtë” e NATO-s në Vilnius të Lituanisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pranoi atë që iu ofrua nga udhëheqësit e aleancës dhe liderët e vendeve anëtare: anëtarësimin pas përfundimit të luftës. Një afat të qartë kohor për aderimin nuk mori. Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ai tha se e kupton frikën dhe shqetësimin e disave për të shmangur një luftë botërore.
“Marrja e ftesës për tu bërë vend anëtar i NATO-s është si çështja e statusit të vendit kandidat për në BE. Kjo nuk do të thotë se ne do të anëtarësohemi në BE menjëherë, por është një sinjal që jepet. Është e njëjta çështje edhe me ftesën e NATO-s. Është një sinjal që motivon shoqërinë tonë”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
“Ukraina është tani më pranë NATO-s se kurrë më parë. Aleatët rikonfirmuan se Ukraina do të bëhet një vend anëtar i Aleancës dhe u pajtuan që të heqin kërkesën për anëtarësim në planin e veprimit”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Kreu i aleancës sqaroi se ngritja e këshillit NATO-Ukrainë, ku 31 shtetet anëtare dhe Kievi janë palë të barabarta, forcon bashkëpunimin politik. Në atë këshill do të merren vendime të përbashkëta. Më pas diskutimi kaloi një çështjen e furnizimeve të Ukrainës me armatime dhe ofrimin e mbështetjes deri në triumfin ndaj Rusisë.
“Çështja më emergjente është që t’i japim sa më shumë armë ushtrisë ukrainase. Franca ka vendosur të japë raketa me reze të gjatë veprimi. Gjermania ka vendosur sisteme raketore mbrojtëse dhe automjete ushtarake. SHBA ka vendosur të japë një paketë të re municionesh. Kështu që çështja më urgjente është që Ukraina të fitojë, pasi nëse Ukraina ia del, nuk ka pse të diskutohet fare anëtarësimi”, tha Stoltenberg.
“Ka disa momente kur ne kemi disa mosmarrëveshje të vogla në disa detaje me administratën e SHBA, por ne u jemi mirënjohës SHBA. Asistenca që ne presim është furnizimi me bomba thërrmuese të cilat do të përdoren vetëm kundër pozicioneve ushtarake, jo kundër qytetarëve. Ata kanë pushtuar tokën tonë, po vrasin qytetarët tanë, si duhet të veprojmë ne. Ne kemi nevojë për armë me rreze të gjatë veprimi”, tha Zelensky.
Këshilli NATO-Ukrainë mbajti mbledhjen e parë të saj në Vilnius të Lituanisë, një zhvillim historik për të ardhmen e luftës. Liderët diskutuan aty ndihmat për Kievin dhe garancitë e sigurisë, në mënyrë që pas kthimit të paqe, Rusia të mos ketë mundësi më kurrë që të kryejë akte agresioni. (A2 Televizion)