
Rusia po përdor energjinë si armë kundër Europës. Kështu e komentoi Presidenti Volodymyr Zelensky vendimin e Moskës për të pezulluar furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë.
Sipas liderit ukrainas, Rusia po përdor jo vetëm gazin, por edhe marrëdhëniet tregtare në përgjithësi për të shantazhuar shtetet perëndimore: “Vendimi për të ndërprerë furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë është një tjetër argument në favor të faktit se askush në Europë nuk mund të shpresojë të ruajë bashkëpunim normal ekonomik me Rusinë. Rusia e konsideron jo vetëm gazin, por edhe tregtinë si armë, dhe po pret momentin për ta përdorur në një fushë tjetër. Qëllimi është të shantazhojë politikisht europianët”.
Zelensky mirëpriti marrëveshjen me BE-në për të pezulluar taksat dhe kuotat ndaj eksporteve ukrainase, duke thënë se Moska do të krijojë kaos në tregjet globale, veçanërisht ato ushqimore. Bashkimi Europian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara dënuan vendimin e Moskës për të mbyllur rubinetët e gazit për Poloninë dhe Bullgarinë, pasi dy vendet refuzuan të paguanin në rubla.
Sofja siguroi se ka rezerva të mjaftueshme edhe për një muaj, ndërsa Polonia tha se do të gjobisë Rusinë për shkeljen e paligjshme të kontratave. Brukseli është gati të mbyllë një paketë të re sanksionesh për Moskën, ndërsa thuhet se ka dakordësi për një embargo graduale të naftës ruse.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha se Gjermania do të vazhdojë të paguajë gazin me euro dhe po konsideron të gjitha opsionet për të reduktuar varësinë nga energjia ruse. Megjithatë, BE-ja do ta ketë të vështirë t’i përgjigjet njëzëri luftës së gazit, ndërsa Hungaria deklaroi se do të përdorë skemën e pagesës së kërkuar nga Moska, për gazin dhe naftën.
“Nuk kemi zgjedhje tjetër, 85% të gazit e marrim nga ky vend”, mbrojti vendimin ministri i Jashtëm hungarez në një intervistë për CNN. (A2 Televizion)