Zelensky: Terrori në Mariupol do të mbahet mend për shekuj

Nga A2 CNN
20 Mars 2022, 14:03 | Bota
Zelensky: Terrori në Mariupol do të mbahet mend për shekuj

Terrori rus në qytetin Mariupol nuk ka të ndalur. Pas bombardimit të teatrit, në shënjestrën e ushtrisë së Vladimir Putinit është vënë një shkollë ku ishin strehuar rreth 400 persona.

Sipas një njoftimi të autoriteteve lokale në Telegram, godina ishte shkatërruar dhe persona gjenden nën rrënoja. Siç thuhet, gra, fëmijë e të moshuar kishin gjetur strehim tek shkolla për t’i shpëtuar bombave ruse.

Luftime intensive po zhvillohen në rrugët e qytetit, ndërsa forcat ruse thuhet të kenë hyrë në qendër. Në një deklaratë mbrëmjen e së shtunës, Presidenti Volodimyr Zelenski akuzoi Moskën për krime lufte dhe tha se tmerri që po përjeton Mariupoli do të mbahet mend për shekuj.

“Bllokada në Mariupol do të hyjë në histori për përgjegjësinë e krimeve të luftës. T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, është një terror që do të mbahet mend për shekujt në vazhdim. Sa më shumë ukrainasit t’i tregojnë botës për këtë, aq më shumë mbështetje do të gjejnë”, tha Zelensky. 

Ka raportime se mijëra banorë të Mariupolit janë dërguar me forcë në Rusi, por vërtetimi i lajmeve nga qyteti i izoluar është i vështirë. Sirenat e arlamit u aktivizuan gati në të gjithë rajonet e Ukrainës të dielën, përfshirë Kievin, Odesën dhe Kharkivin, pas një frenimi të ofensivës një ditë më herët, kur ushtria ruse u fokusua tek rifurnizimi dhe riparimi i mjeteve të dëmtuara.

Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe tha se Moska kishte dështuar të merrte kontrollin ajrore dhe po mbështetej në armë të lëshuara nga territori i vet. Për të dytën ditë radhazi, Rusia pranon se ka përdorur armë hipersonike kundër objektivëve ushtarake ukrainas.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos