Zëvendësimi i Zaganjorit, KLGJ prezanton kandidatët për Gjykatën e Lartë

Nga A2 CNN
2 Tetor 2019, 12:30 | Aktualitet
Zëvendësimi i Zaganjorit, KLGJ prezanton kandidatët për

Këshilli i Lartë Gjyqësor prezantoi sot emrat e kandidatëve për zëvendësimin e Xhezair Zaganjorit në Gjykatën e Lartë.

Mes tyre është edhe emri i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ndërsa të tjerët janë Kestrin Katro, Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Darjel Sina dhe Arjana Mallkuçi. Në fakt, kjo e fundit u tërhoq nga kandidimi në fund të muajit shtator dhe kandidatura e saj nuk do të merret në konisderatë nga ana e KLGJ.

Tani mbetet që të vlerësohen kushtet ligjore, për të parë nëse këta kandidatë plotësojnë kriteret për të vijuar garën. Katër prej tyre janë edhe kandidatë për tre vendet e juristëve të spikatur në Gjykatën e Lartë. Ndërsa Dariel Sina momentalisht ka rolin e komisioner publik në procesin e vettingu-ut që po zhvillohet ndaj prokurorëve dhe gjykatëseve.

https://youtu.be/b645VPvX4Zo

Me përzgjedhjen e këtyre katër emrave do të dalë nga ngërçi edhe Gjykata e Lartë, që mbetet e bllokuar prej më shumë se një viti, pasi ka vetëm një anëtar, nga 19 që duhet të ketë në kushte normale.

Kryegjyqtari i Lartë u përjashtua nga sistemi gjyqësor prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkalla e dytë e vetting-ut, për shkak të kriterit të pasurisë. Ndryshe nga Shkalla e Parë, që e konfirmoi në detyrë, KPA vlerësoi se Zaganjori nuk justifikonte 4 pasuri të patundshme pranë qendrës së Tiranës. I njëjti arsyetim u bë nga Kolegji edhe për shpenzimet e kryera prej tij për arsimimin e fëmijëve në Angli dhe Gjermani, si edhe për blerjen e një shtëpie në plazh. Pasi u konfirmua në Shkallën e Parë në korrik 2018, Xhezair Zaganjori pati rol kyç në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi ligji i njeh kryetarit të Gjykatës së Lartë kompetencën e thirrjes së mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku zgjidhen anëtarët e Këshillit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos