
Lidhur me deklaratat e Sali Berishës se nuk do të ketë konsensus me Ramën për zgjedhjen e presidentit të ri, deputeti Ervin Salianji tha se askush nuk mund të flasë në emër të grupit parlamentar të PD-së.
“Është një diskutim i parakohshëm. Kur të mblidhet grupi parlamentar do të diskutohet. Askush nuk e ka tagrin të diskutojë në emër të grupit, as kryetari i grupit parlamentar, pa marrë dakordësinë e anëtarëve të grupit”, deklaroi Salianji.
Ndërsa për emrat e përfolur, deri tani, si kandidatë të mundshëm për të pasuar Metën, Salianji tha se nëse ato konkretizohen, atëherë pazari është vendosur në tavolinë. “Çdo emër i hedhur për konsum nuk i shërben interesave të opozitës në Shqipëri. Çdo emër që hidhet dhe nuk e përgënjeshtron veten që nuk do të jetë kandidat, thekson perceptimin e keq që gjithçka është e shitur dhe e blerë”. (A2 Televizion)