
Ditën e sotme në Kosove nis numërimi i votave të dërguara me postë. Janë 16 mijë pako postare, që kanë më shumë se 1 votë brenda, të cilat pritet që të hapen dhe të numërohen.
Sipas ekspertëve që kanë ndjekur procesin, nuk ka asnjë pritshmëri që votat e emigrantëve të sjellin ndonjë përmbysje të rezultatit. Ndërkohë, të ngelurit jashtë dyerve të parlamentit, Partia Nisma Social Demokrate e Fatmir Limajt, pasi nuk kaloi pragun, do të sjellë edhe shpërndarjen e votave që ka marrë kjo parti, në mënyrë proporcionale te partitë e tjera.
Në një deklaratë të ditës së djeshme në lidhje me referendumin për bashkimin me Shqipërinë, Albin Kurti u shpreh se nëse do bëhej ai do të votonte pro.
Një rezultat mbresëlënës në këto zgjedhje është vota për Vjosa Osmanin, që rezulton më e votuara në gjithë historinë e zgjedhjeve në Kosovën e pavarur. Me 206 mijë e 570 vota ajo ka tejkaluar pikërisht Albin Kurtin, që në zgjedhjet e vitit 2019 mori 183 mije e 952 vota. (A2 Televizion)