
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës dhe se qeverisja e formuar pas atij procesi nuk do të ketë legjitimitet.
I pyetur se si do të jetë situata për serbët në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të 23 prillit, Vuçiç u shpreh për Radiotelevizionin e Serbisë, se do të jetë “keq, sikurse nën pushtim”, sepse Mitrovica e Veriut do të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kurti do ta drejtojë Mitrovicën e Veriut nga 24 prilli. Do të jetë keq për serbët, sikurse nën okupim, ashtu do të jetë, prandaj njerëzit janë të shqetësuar. Çfarë mund të bëjnë ata? Çfarë duhet të bëj unë? A të dërgoj tanke? Nuk mund ta mposht NATO-n, dhe nuk dua që ne të vdesim. Dua që gjërat të zgjidhen në paqe, të shkojnë drejt normalizimit”, tha Vuçiç.
Ai po ashtu kritikoi shtetet perëndimore për “heshtjen” e tyre, për faktin që Kurti nuk ka dëshiruar të shtyjë zgjedhjet lokale, në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë, pas dorëheqjeve kolektive nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.
“Taktika e autoriteteve të Prishtinës është që të mos krijohet kurrë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ata do të provokojnë serbët çdo ditë, me synimin që serbët të provokojnë diçka”, shtoi presidenti serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. (A2 Televizion)