
Afati i vendosur nga komisioni i rithemelimit të PD për propozimin e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit skadoi mesnatën e 24 janarit. Emrat ende nuk janë bërë publikë por anëtari i këtij komisioni Oerd Bylykbashi shpjegon se ka nisur tashmë faza e shqyrtimit të propozimeve të cilat në datën 30 janar do t’i nënshtrohen procesit të votimit brenda partisë.
“Është përmbyllur procesi dhe kandidaturat do të paraqiten për votimin e primareve në fundjavën që vjen. Është një moment i rëndësishëm brenda PD në një shkëputje të thellë me praktikat e mëparshme dhe ato që vendosi Basha para se të shkarkohej”.
Bylykbashi pranoi mundësinë e krijimit të një formacioni të gjerë opozitar, proces që sipas tij po shkon paralelisht me atë të vlerësimit të emrave të propozuar.
“Po diskutohet me aleatët për koalicion, i cili është instrument juridik në garë. Por ajo që ka rëndësi ka instrumenti politik. Pas 7 vitesh ne garojmë për një votim maxhoritar për kryetar bashkie”
Zgjedhjet e pjesshme i sheh edhe si një prove force ku Partia Demokratike, sipas tij e drejtuar nga komisioni i rithemelimit nuk do të futet thjesht për të marrë pjesë.
“6 marsi është test politik siç janë çdo palë zgjedhje dhe duhet të ishte test politik për Bashën që në 2019 që i iku atij testi politik. Një test politik ku ne shkojmë për të fituar”.
Rezultati në këto zgjedhje do të ndikojë dhe në peshën që do të ketë Kuvendi Kombëtar i 22Marsit, nga ku Komisioni i Rithemelimit parashikon t’i hapë udhë edhe zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike. (A2 Televizion)