
Agjentët imobiliarë do të kalojnë në filtrin e qeverisë. Mes debateve, Komisioni i ligjeve i dha dritën jeshile nismës për ndërmjetësin e pasurive të paluajtshme. Në mbledhje, disa prej deputetëve morën pjesë online, mazhoranca e argumentoi nismës si të nevojshme për të parandaluar pastrimin e parave, ndërsa opozita kishte një qasje tjetër.
“Të forcojë mekanizmat e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ky ligj përbën një risi pasi rregullon për herë të parë aspektet kardinale të këtij profesioni”, tha zv.ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni.
“Sot është publikuar edhe nga TI, Indeksi i Korrupsionit dhe nuk është çudi, së paku prej 8 vitesh në këtë vend, sa herë që publikohet ky raport, Shqipëria shkon poshtë e më poshtë. Ky është ligj i bërë për Ulsiu. Ulsiu do të japë licensat për agjensitë imobiliare, Ulsiu do të heqë licensat”, u shpreh Alibeaj.
Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi u shpreh se në bazë të këtij p.ligji, agjentët imobiliarë duhet të japin informacion kur kanë dyshime se shitblerjet e pasurive të paluajtshme bëhen për të pastruar paratë. Ky mekanizën ligjor për PD-në bëhet për qëllime elektorale.
“Nëse ndërmjetësit kanë informacion që ka persona të cilët dyshohen se po qarkullojnë fonde kriminale në sektorin e pasurive të paluajtshme neve na bën punë”, u shpreh drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi.
“Pranoni që edhe këto të dhëna që do të duhet këta ndërmjetës t’i përdorin për punët e tyre, t’ia japin shtetit dhe ju t’i përdorni më pas për patronazhist”, tha Alibeaj.
Pas disa orë debatesh, komisioni miratoi aktin pa dakordësi, ku opozita ngriti edhe pretendimin e mungesës së votave për shkak se disa deputetët po ndiqnin mbledhjen online. (A2 Televizion)