Zgjedhjet në Kukës, mësohen 6 emrat në garë për primaret e Berishës, tërhiqet Sinamati

Nga A2 CNN
23 Gusht 2023, 13:33 | Politikë
Zgjedhjet në Kukës, mësohen 6 emrat në garë për

A2 CNN ka mësuar emrat e 6 kandidatëve që do të garojnë në primaret e organizuara nga PD-ja e Sali Berishës për të qenë kandidati zyrtar për Bashkinë e Kukësit në zgjedhjet e 24 shtatorit. Gazetari Anesti Bajramemaj raporton se Arif Rexhmati, Ardian Elezi, Ylber Zeneli, Uran Cengu, Gëzim Shehu dhe Emri Vata do të jenë kandidatët që do të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë që pritet të mbahet ditën e sotme.

Një emër që diskutohej si kandidat i mundshëm ka qenë edhe Admir Sinamati, i humbur në zgjedhjet e 14 majit përballë Safet Gjicit, por ky i fundit ka vendosur që të tërhiqet nga gara. Në një postim të gjatë në profilin e tij në Facebook, Sinamati ka renditur arsyet.

“I gjendur në këto kushte kur tashmë edhe pala kundërshtare ka hedh "në ring" një kandidat që ndryshon shumë nga ai i pari, kur situata aktuale është tejet më pozitive dhe favorizuese për opozitën e veçanërisht në Kukës, kur për fat të mirë edhe nga radhët e demokratëve tashmë kemi një numër të madh kandidatësh optimistë për përfshirje në kandidim dhe besimin në fitore, kur një realitet i ri politik po don me marrë formë( bashkim lokal me poseduesit e vulës së PD), disa arsye të tjera personale si dhe për shkak të botkuptimit tim politik, unë jam i bindur se opozita në Kukës dhe PD nuk do të ndjejë aspak moskandidimin tim”, shkruan ai.

Zhvillimi i primareve konfirmon se mundësia e bashkimit të Partisë Demokratike është shumë e largët. Teksa Berisha organizon primare, nga ana tjetër edhe Lulzim Basha pritet të dalë me një emër në garën për Kukësin.

Ndërkohë, socialistët, ndonëse ende jo zyrtarisht, do të fusin në garë prefektin e qarkut, Albert Halilaj.

1 shtator është dita e fundit për partitë politike për t’u regjistruar për zgjedhjet e pjesshme ndërsa pesë ditë më vonë skadon afati për koalicionet. Për organizimin e këtyre zgjedhje Komisioni Qendror ka rreth 40 ditë kohë, ndërsa partitë politike do të kenë në dispozicion dy javë për të zhvilluar fushatën elektorale për këtë bashki.

Zgjedhjet në Kukës u përsëritën pas video skandalit të Safet Gjcit teksa kryente marrëdhënie seksuale në zyrën e tij me Alma.K. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos