Zgjedhjet vendore në prag, bashkitë zhyten në borxhe

Nga A2 CNN
24 Qershor 2019, 15:44 | Ekonomi
Zgjedhjet vendore në prag, bashkitë zhyten në borxhe

Bashkitë kanë shtuar borxhet në prag të zgjedhjeve të planifikuara vendore të 30 Qershorit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura të 61 bashkive arriti në 7.1 miliardë lekë në fund të muajit Mars.

Kjo përbën një rritje prej rreth 400 milionë lekësh krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Pothuajse gjysma e këtij borxhi i takon pagesave të pakryera për investimet e pushtetit vendor, thënë ndryshe janë detyrime drejt bizneseve që kanë kryer punimet. Rreth 20.4% e borxhit i takojnë tenderimeve të papaguara për mallra dhe shërbime, ndërsa ajo që është më shqetësuese është fakti se 17.4% e detyrimeve i takojnë vendimeve gjyqësore.

Pra, largimet e padrejta nga puna në bashki apo në ndërmarrjet e drejtuara nga bashkitë, i kushtojnë xhepave të qytetarëve plot 1.2 miliardë lekë.

Likuidimi i plotë i detyrimeve pritet të zgjasë të paktën disa vite për pjesën më të madhe njësive të qeverisjes vendore, ndërsa do të jetë më i vështirë për ato bashki që mbledhin më pak të ardhura nga burimet e veta.


Kjo situatë me rritjen e detyrimeve mund të ketë qenë një nga faktorët që ka shtyrë qeverinë të bllokojë përkohësisht tenderimet para zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos