Zhdukja e tenistes kthehet në çështje ndërkombëtare, Biden i shqetësuar, Kina përgjigjet me foto të dyshimta

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2021, 21:33 | Bota

Në botën e tenisit, por jo vetëm, nuk pyetet më për fitoret e Djokovic ose për rikthimin e mundshëm të Federer, por vetëm për kinezen Peng Shuai. Ku ndodhet ish-numri një e renditjes botërore, dhe a është ajo e sigurt dhe gëzon shëndet të plotë?

Janë pyetje që duken sikur vijnë nga një skenar të një filmi thriller, dhe me shumë mundësi, në të ardhmen, Hollivudi mund të mendojë për një film të tillë.

Përtej hipotezave, legjendave dhe propagandës, një gjë është e sigurt. Peng Shuai është zhdukur nga çdo pjesëmarrje publike nga 2 nëntori, pasi kishte denoncuar një tentativë abuzimi seksual. Jo nga një person anonim dhe të rëndomtë, por nga ish-zëvendëskryeministri i Kinës, Zhang Gaoli.

Deri në vitin 2018, Zhang Gaoli shihej si një nga figurat më të fuqishme në qeverinë kineze. Nga viti 2012, kur hyri në Byronë Politike, praktikisht çdo projekt i rëndësishëm ekonomik i Kinës brenda por dhe jashtë vendit, kalonte nga duart e tij.

Por në 2017, ai papritur jep dorëheqjen nga Byroja Politike dhe vitin më pas nga posti i zëvendëskryeministrit. Si gjithmonë në Kinë, spekulimet për arsyet nuk zgjasin shumë, dhe mbi të ra mjegulla e zakontë që përfshin ata që i largohen rrethit të liderit “suprem” Xi Jinping.  

Por në fillim të nëntorit, një postim në rrjetet sociale të tenistes së njohur Peng Shaui, u duk sikur i përgjigjej dyshimeve. Ajo është një nga personazhet më të njohura në Kinë falë karrierës së saj në tenis, në çift ka fituar turne si Wimbledon dhe Roland Garros në vitin 2014, e para teniste kineze që shpallej numër 1 në atë sport.

Me një postim që tronditi opinionin publik, Shaui rrëfeu dhunën seksuale ndaj saj të Zhang Gaoli, me të cilin sipas saj kishte pasur marrëdhënie edhe në 2011, kur politikani po i afrohej kulmit politik.

https://twitter.com/shen_shiwei/status/1461715435385020419
Postimi i gazetarit pro qeveritar kinez

Por pas pak orësh, postimi i saj u zhduk, së bashku me çdo referim të saj në rrjetet sociale kineze. Tenistja u zhduk, dhe asgjë nuk dihej më për të.

Pyetjet e para për gjendjen e saj erdhën fillimisht nga koleget, si Serena Williams, duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar deri në pikën që sot edhe presidenti i Shteteve te Bashkuara, Joe Bieden, ka deklaruar se është “tejet i shqetësuar” për fatin e saj, duke i kërkuar autoriteteve kineze sqarime.

https://a2news.com/2021/11/13/denoncoi-per-perdhunim-ish-zv-kryeministrin-kinez-nuk-dihet-fati-i-tenistes/

Ne fakt këto sqarime nuk munguan, ditën e sotme, por kanë patur një efekt të kundërt nga ai i planifikuar.

Heshtjen zyrtare e ka thyer Shen Shiwei, gazetar afër qeverisë, i cili në Twitter tregoi disa fotografi të tenistes, që duket e relaksuar në dhomën e saj, duke shtuar që së shpejti atletja do të shfaqet sërish.

Por lajmi nuk duket i besueshëm nga analistët perëndimor, nga momenti që tenistja nuk komunikon ende me asnjë person që mundohet ta kontaktojë.

Madje edhe në fotografitë e shpërndara sot, disa kanë parë me kuriozitet një fotografi në sfond, ku ajo paraqitet bashke me një arush Teddy Bear gjigant, që prej kohesh përdoret në rrjetet sociale opozitare  si një ironi ndaj presidentit  Xi Jingping. Një rastësi, apo një kërkesë ndihme?   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos