Zjarri përbindësh, mbi 10 mijë të evakuuar në Francë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2022, 15:08 | Bota
Zjarri përbindësh, mbi 10 mijë të evakuuar në

Më shumë se 1 mijë zjarrfikës po përballen me atë që është pagëzuar si “zjarri përbindësh”, në jugperëndim të Francës, i cili ka djegur rreth 7 mijë hektarë pyje. Flakët gjigante në rajonin e Gironde, pranë qytetit të Bordo, kanë shkatërruar një numër banesash dhe kanë detyruar evakuimin e mbi 10 mijë banorëve. Zjarrfikësit thonë se ishte hera e parë që shihnin një zjarr të tillë.

“Është një zjarr përbindësh. Teksa flasim zjarri vazhdon të avancojë. Ai ka krijuar erën, historinë dhe lëvizjen e tij. Tani ka vendosur të lëvizë drejt veriut me dy fronte kryesore”, tha një zyrtar lokal.

Erërat e forta dhe temperaturat e larta po pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve që po shkrumbojnë zonën pranë Bordosë prej dy ditësh. Një numër zjarrfikësish janë zhvendosur me urgjencë atje nga rajonet e tjera, por pavarësisht përpjekjeve, flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit.

Para evakuimit, disa prej banorëve iu desh të qëndronin mbi çati për t’u shpëtuar zjarrit që u afrohej shtëpive të tyre.

Belin-Béliet është tani një qytezë fantazmë, pasi të 2 mijë banorët e saj u larguan që andej. Presidenti Emanuel Macron njoftoi se Austria, Gjermani, Greqia, Polonia dhe Rumani do t’i vijnë Francës në ndihmë në luftën kundër zjarreve. ”Solidariteti europian në punë”, tha ai në një mesazh në Twitter.

Këtë verë, Franca dhe një numër vendesh të tjera europiane po përballen me një valë vdekjeprurëse zjarresh, të ushqyera nga temperaturat rekord dhe thatësira përreth kontinentit. Më shumë se 1 mijë vdekje i janë atribuuar nxehtësisë në Portugali dhe Francë.

Në Britaninë e Madhe është aktivizuar alarmi portokalli për të nxehtin ekstrem, ku gjatë 4 ditëve ne vazhdim termometri pritet të arrijë 37 gradët. Autoritete kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit do të prekë shëndetësinë, transportin dhe kushtet e punës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos