
1/3 e deputetëve që Lulzim Basha përzgjodhi në vitin 2017 janë hequr nga lista e kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve në Partinë Demokratike.
Mes 163 emrave të skualifikuar nga listat e kandidatëve për deputet, janë dhe anëtarë të grupit parlamentar që dogjën mandatet e deputetit. Mësohet se pjesë e listës finale nuk janë Ervin Salianji dhe Endri Hasa. Komisioni ka skualifikuar edhe Romeo Gurakuqin, Izmina Ulqinakun në Shkodër, Lindita Metaliajn që u zgjodh deputetë në Lezhë, Nadire Mecorapaj që u zgjodh në Vlorë dhe Fatbardha Kadiu në Durrës.
Tritan Shehu po ashtu rezulton të mos jetë pjesë e vlerësimit pozitiv të Komisionit. Ai vetë reagoi publikisht, duke deklaruar që nëse do të jetë apo jo në listë është në tagrin e Kryesisë së PD-së dhe Këshillit Kombëtar dhe jo të Komisionit të Vlerësimit. Ai thotë se gjykimi më i mirë për të është dhënë nga anëtarësia. Vetë anëtarësia më herët refuzoi të ishin në listën e kandidimit për 25 prillin disa prej ish-deputetëve dhe ish-kryetarëve të Bashkive duke filluar nga Klevis Balliu, Hekuran Hoxholli, Astrit Veliaj dhe kryebashkiakët e Tropojës, Kukësit dhe Pogradecit.
Lista finale e kandidatëve për deputetë do ketë të përfshirë 20% të emrave që kanë besimin e kryetarit Basha dhe konfirmimin e dy forumeve të larta të demokratëve. Kjo pritet të mësohet në pranverë, ndërsa për pak javë pritet që të caktohen kryetarët e qarqeve, ata që do udhëheqin betejën elektorale deri në votën e 25 prillit. (A2 Televizion)