
Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas vendimit të Presidentit për të kthyer Kodin e Ri zgjedhor në Kuvend për rishqyrtimin e tij.
Numri dy i PS tha se presidenti hileqar mori të gjithë kohën për të vonuar procedurat parlamentare të një kodi zgjedhor që i jep më shumë fuqi popullit për të zgjedhur të preferuarit e tij.
“Lidhur me dekretin e presidentit Meta për refuzimin e Kodit Zgjedhor, më vjen keq që presidenti mori të gjithë kohën e mundshme për të vonuar procedurat parlamentare, por ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur, Kodi Zgjedhor, tashmë është i plotë, ka transformuar tërësisht qasjen dhe i ka dhënë më shumë fuqi popullit, jo vetëm për të zgjedhur partinë politike, por edhe kandidatin që dëshiron.
Çdo lloj vonese, e shkaktuar për shkak të një presidenti mistrec dhe hileqar, unë besoj që ne kemi të gjitha mundësitë të vijojmë punën sensibilizuese dhe shpjeguese ndaj qytetarëve. Këtu një rol të rëndësishëm merr KQZ në formulën e re, komisioneri, enti apo këshilli i ankesave.
Por këtu është një moment shumë i rëndësishëm t'u shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se Reforma Zgjedhore e cila mori shumë kohë, gati 3 vite, është një sukses i cili ka garantuar, që zgjedhjet e 25 prillit, padyshim janë të lira dhe demokratike, por pas shumë viteve qytetarët shqiptarë kanë mundësi të kenë dy vota (dy gishta) meqenëse ky është edhe simboli që Presidenti i Republikës po përpiqet t'ia vjedhë Partisë Demokratike”, tha Balla. (A2 Televizion)