Kthimi i Kodit, Meta: Në krah të popullit, nëse tentohet dëmtimi i zgjedhjeve

Nga A2 CNN
23 Tetor 2020, 12:59 | Politikë
Kthimi i Kodit, Meta: Në krah të popullit, nëse tentohet

Presidenti, Ilir Meta, ka reaguar edhe një herë nga Korça në lidhje me vendimin e tij për të kthyer edhe një herë në Kuvend, Kodin e ri Zgjedhor.

Ilir Meta u shpreh se dëgjoi reagimin e PPE pas miratimit të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe shtoi se do të vihet në krah të popullit nëse ka një tentativë për të dëmtuar zgjedhjet e 25 prillit.

“Reagimi i menjëhershëm i Partive Popullore Europiane pas miratimit të ligjit në Kuvend, dhe thirrja e tyre drejtuar Presidentit për ta kthyer në Kuvend këtë akt, me qëllim rikthimin e tij në shinat e marrëveshjes së 5 qershorit, ishte arsyeja kryesore për t’i dhënë mundësi mazhorancës të reflektojë dhe të respektojë marrëveshjen, në të kundërt mazhoranca do të mbajë një përgjegjësi kritike jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm të ndryshimit të rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme. Respektimi i kësaj marrëveshje është një kusht i padiskutueshëm për rrugëtimin europian.

Presidenti është i qetë pasi është në një gjatësi vale me popullin shqiptar. I gjithë populli shqiptar është i mërzitur me lojëra dhe kërkon t’i jepet fund kësaj krize artificiale. Kthimi mund të ishte bërë më shpejt po u bë një motivim i arsyeve së bashku me ekspertë për të gjitha standardet që shkel. Shpresoj që mazhoranca t’i lexojë këto arsyetime dhe të reflektojë. Në rast se do të kemi një këmbëngulje për të dëmtuar zgjedhjet dhe për t’i prishur ato, presidenti do të jetë me gjithë popullin për të treguar se e ardhmja është Shqipëria si gjithë Europa”, tha Meta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos