12 gusht 1929, New York Times shkruan për rekordin e Ruth
Një shkop bejsbolli, me të cilin lojtari legjendar Babe Ruth realizoi “home run”-in e 500-të në karrierë u shit në ankand për 1 milionë dollarë.
Blerësi, emri i të cilit nuk është bërë publik, pagoi saktësisht 1000800 dollarë për shkopin, me të cilin Ruth konfirmoi vendin e tij mes legjendave të sportit popullor në SHBA, ndërsa luante për New York Yankees, në 11 gusht 1929.
Ruth vlerësohet gjerësisht si një prej lojtarëve më të mirë të gjitha kohërave dhe ishte i pari që vendosi këtë rekord, që shërben edhe sot si matës i cilësisë së lojtarëve. Deri tani, në historinë e këtij sporti, vetëm 27 lojtarë e kanë arritur këtë rekord. Në total, Ruth realizoi 714 “home run”, ose xhiron e plotë rreth bazave në fushën e bejsbollit para se kundërshtarët të pasojnë topin te njëri-tjetri.
Ruth fitoi kampionatin e bejsbollit, ose “World Series”, 7 herë në karrierën e tij, tri herë me Boston Red Sox dhe katër herë me Yankees. Vendimi i Red Sox për ta shitur te Yankees në vitin 1919 konsiderohet si një ndër gabimet më të mëdha në historinë e sportit në SHBA. Pas këtij veprimi, Red Sox do të duhej të prisnin 86 vite para se të fitonin përsëri titullin, një periudhë e pagëzuar “mallkimi i Bambino-s”, sipas nofkës së Ruth.
Ai mbetet një personazh tepër i pëlqyer mes fansave të bejsbollit, dhe jo vetëm. Në qershor, një fanellë e Yankees e veshur nga Ruth në vitet 1928-1930 u shit për 5,64 milionë dollarë në ankand, duke thyer rekordin e vendosur më parë nga një tjetër fanellë e tij, veshur në vitet 1920, që u shit për 4,4 milionë dollarë. (A2 Televizion)