
Me fushatën “Shqipëria buzëqesh”, edhe Shqipëria nisi vaksinimin kundër Covid-19 me 10 750 doza Pfizer, prejardhja e të cilave nuk u bë kurrë e njohur. Fushata vijoi me vaksinimin e stafit mjekësor, të moshuarave mbi 80 vjeç, punonjësve të policisë dhe grupeve të tjera të rrezikuara.
Afrimi i zgjedhjeve të 25 prillit bëri që qeveria të lajmëronte vaksinimin masiv, me 500 mijë doza të vaksinës kineze Coronavac të mundësuara edhe me ndihmën e Turqisë. Më parë kryeministri Edi Rama nuk i kishte kursyer kritikat e përsëritura ndaj Bashkimit Europian për mungesë të mbështetjes me vaksina. Ndihma evropiane mbërriti dhe deri më sot numërohen mbi 500 mijë doza të dhuruara nga BE dhe vendet anëtare.
Sot, Shqipëria ka rezerva të mjaftueshme vaksinash, por mungojnë ata që duan të vaksinohen. Një vit nga nisja e procesit, në vend janë kryer gati 2,5 milionë vaksina, me të cilat janë vaksinuar me doza të para mbi 1,1 milionë e me të dyta pak më shumë se 1 milion qytetarë. E thënë në përqindje, deri më tani janë vaksinuar me doza të para 41,5 për qind e popullsisë, me të dyta 37,4 e me të treta më pak se 6 për qind e shqiptarëve.
Të rinjtë vijojnë të hezitojnë të imunizohen dhe kjo duket edhe nga të dhënat mbi grup-moshat e vaksinuara. Ata 18-24 vjeç e 25-39 vjeç përbëjnë edhe pjesën më të vogël të të vaksinuarve.
Ndonëse ishte vendi i dytë pas Serbisë që nisi fushatën e vaksinimit, 365 ditë më pas, Shqipëria renditet e parafundit në rajon për sa i përket nivelit të vaksinimit duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën. (A2 Televizion)