
Një 20-vjeçar është arrestuar, këtë të martë, nga Policia e Gjirokastrës për shkak se ishte i shpallur në kërkim, njëkohësisht i dënuar me 2 vite e 8 muaj burg, për armëmbajtje pa leje.
20-vjeçari Surjat Roshi, dyshohet si një nga autorët e ngjarjes së datës 28 dhjetor të vitit të kaluar, në fshatin Kakavijë, ku u gjetën 44 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, 4 kallëpe me lëndë plasëse, kapsolla detonatorë dhe fitil zjarrpërcjellës, në tentativë për t’i trafikuar në shtetin grek.
Rroshi është dënuar nga Gjykata e Apelit Gjirokastër me 2 vite e 8 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia tha se po punon për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të Roshit, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë ngjarje. Mbi të riun, përveç dënimit të mëparshëm rëndon edhe akuza e për veprat penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Trafikim i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)