
Figurat kryesore politike në vend shprehën ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli.
“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm te kushdo që pati nderin e kënaqësinë ta njihte... Addio caro David, riposa in paçe”, shkroi Rama në një postim në Facebook.
“I hidhëruar nga humbja e papritur e një europianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e Tij dhe institucionet europiane!”, shkroi presidenti Meta në ngushëllimin e tij.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu shpreh thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të kryeparlamentarit europian. “Miku i mirë i shqiptarëve dhe mbështetës i sinqertë i aspiratës tonë kombëtare për integrimin europian. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje pikëlluese. U prehtë në paqe!”, shkroi Basha në Twitter.
Homazhe bëri edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. “Jam thellësisht e dëshpëruar për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh ai vetë në takimin që patëm para një muaji, “zëri i Shqipërisë brenda BE-së”. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David!”, shkruan Nikolla në llogarinë e saj në Facebook.
Ndërsa ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e quajti Sassoli-n “një kampion të vlerave europiane” dhe një “mik të dashur të shqiptarëve”. “Vajtojmë këtë italian të shquar dhe europian krenar”, shkruan Xhaçka. (A2 Televizion)