
Pas shumë vitesh është rikthyer zhurma e gjeneratorëve në qytetin e Kukësit. Dhjetëra lokale dhe biznese që i kanë ruajtur gjeneratorët, i kanë vënë në funksionim, mëngjesin e kësaj të marte, pasi prej mesnatës së djeshme qyteti ndodhet pa energji elektrike.
Shkak janë bërë dëmtimet e linjave të transmetimit të energjisë, si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të borës që kanë përfshirë qarkun e Kukësit, në 24 orët e fundit.
Ndërkohë, sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës në Bashkinë Kukës pa energji përveç qytetit janë edhe njësitë administrative të Zapodit, Shishtavec, Topojan, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë.
Ndërsa në Bashkinë Tropojës, pa energji elektrike janë fshatrat Valbonë, Cernicë, Margegaj dhe Bytyq.
Probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur edhe në disa njësi administrative të qarkut të Korçës. Në zonat malore të këtij qarku, janë rikthyer reshjet e borës dhe temperaturat janë ulur deri në - 11 gradë celsius, duke krijuar probleme edhe në qarkullimin e mjeteve. (A2 Televizion)