100 vjet marrëdhënie SHBA-Shqipëri. Pompeo mbron ambasadoren Kim, Alibeaj ankohet për Berishën

Nga A2 CNN
16 Maj 2022, 18:46 | Politikë
100 vjet marrëdhënie SHBA-Shqipëri. Pompeo mbron ambasadoren Kim,

Në prezencë të ish-shefit të diplomacisë amerikane, Taulant Balla shfrytëzoi konferencën e oganizuar prej atij vetë me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, për t’i dërguar mesazh pjesës së paftuar të opozitës, se ndryshimi i banorëve të Shtëpisë së Bardhë nuk ndikon në qasjen e Uashingtonit ndaj Tiranës.  

“Ndërsa sot bëjmë bilancin e një shekulli, mund ta themi se pavarësisht nga cila prej dy partive vjen Presidenti i SHBA, ne jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen që SHBA kanë dhënë ndaj Shqipërisë dhe çështjeve shqiptare. SHBA mbështesin forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri dhe ne i jemi mirënjohës”, deklaroi Balla. 

Në të njëjtën linjë, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, foli me emra presidentësh, duke i dalë në krah ambasadores Kim që akuzohet nga Sali Berisha për axhendë personale kundër ish-kryeministrit: “Pavarësisht se ambasadorja Kim punon sot për Presidentin Joe Biden, pasi u emërua nga Presidenti Donald Trump, përkushtimi është i njëjtë. Unë kam shërbyer si në opozitë, edhe me shumicën, kjo nuk ka rëndësi, na duhet vullnet për të mbrojtur demokracinë tonë. Faleminderit që punoni përkrah SHBA-së. Më bëni një ftesë kur të kemi 125-vjetorin”.

Ambasadorja Yuri Kim hodhi sytë nga e ardhmja e marrëdhënieve dypalëshe: “Së bashku jemi duke punuar për të luftuar korrupsionin dhe për integrimin e Shqipërisë në BE. Ne kemi vendosur një prani amerikane këtu. Shpresojmë që kjo do të vazhdojë në 100 vitet e ardhshme. Gjatë 30 viteve të fundit, s’mund të kishim kërkuar një mik dhe një partner më të mirë sesa Shqipëria”.

Nga radhët e demokratëve, ishin ftuar vetëm deputetë që nuk kanë mbështetur rikthimin e Sali Berishës në krye të PD, me vendin e nderit dedikuar Enkelejd Alibeajt, të cilit i ishte rezervuar një vend ballor në tryezën më të rëndësishme të takimit. I konsideruar nga amerikanët si kryetar në detyrë i partisë më të madhe opozitare, Alibeaj nuk shprehu shqetësime ndaj qeverisë, por qau hallin e oborrit të tij: “Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve, kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA. Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t'i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t'ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100-vjeçare”.

Më herët, gjatë vizitës së tij,Pompeu zhvilloi një takim dhe me kryeministrin Edi Rama, në përfundim të të cilit, shefi i qeverisë deklaroi se në fokus kishin marrëdhëniet mes dy vendeve, pasojat e luftës në Ukrainë dhe projektet amerikane në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos