
Pavarësisht negociatave për të arritur në një emër konsensual për zgjedhjen e Presidentit të ri, në tryezën e Komisionit të Ligjeve nuk kishte asnjë kandidaturë për të vlerësuar.
Përgjegjësinë për dështimin e këtij raundi, Enkelejd Alibeaj ia faturoi socialistëve: “Ky dështim është mbi supet tuaja”.
Ndërsa Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve, tha: “Këtu jemi në një proces parlamentar dhe mazhoranca ua ka dhënë mundësinë”.
Kryetari i grupit parlamentar i “Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu, i qëndron idesë së tij për të dalë me një emër të përbashkët nga fronti opozitar: “Duhet të gjejmë një emër të përbashkët”.
Për Oerd Bylykbashin, emri i ri i Kreut të Shtetit duhet të jetë rruga drejt stabilitetit institucional: “Është proces politik që duhet të burojë nga vota. Një emër konsensual na bën të futemi në një trajektore stabiliteti”.
Pas këtij raundi të parë, Kushtetuta parashikon edhe 4 raunde të tjera votimi. Për zgjedhjen e Presidentit në tre votimet e para kërkohet një shumicë e cilësuar prej 84 votash, që imponon konsensus me opozitën. Dy raundet e fundit kërkojnë shumicë të thjeshtë me 71 vota, që i jep mundësinë mazhorancës socialiste të votojë sipas dëshirës. (A2 Televizion)