100 vjet parlamentarizëm, historianët: Sukseset e dështimet e Kongresit të Lushnjës

Nga A2 CNN
21 Janar 2020, 20:51 | Aktualitet
100 vjet parlamentarizëm, historianët: Sukseset e dështimet e

“Parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova, operata, në trupin e gjallë të racës së tyre. Është një sallë plotë me gazra helmues, gazra mbytës, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura”.

Ky citim i Fan Nolit në Gjenevë në vitet 1920, dhe që profesor Paskal Milo e përcjell në konferencën e organizuar në kuadër të 100-vjetorit të parlamentit, tingëllon aktual.

Por historianët mes tyre bien dakord, se Kongresi i Lushnjës, prodhoi një parlament që kërkoi ta orientojë Shqipërinë drejt oksidentit, ishte përparimtar për kohën, po aq sa kishte edhe dështimet e tij.

Edhe asokohe, thotë Milo, ka pasur deputetë që iu nënshtruan qeverisjes së Zogut, por veçon Gjergj Fishtën, që ka mbrojtur çështjen e Kosovës. “Vepra rrënuese e sllavëve në Kosovë, një mizori që kur ata nipa e stërnipa ta lexojnë, atje ma vonë ndër libra historie, padyshim se atyne ka për t’iu dridh k’misha në shtat prej m’neret e prej trishtimit”.

E pikërisht, Kosova ishte një tjetër dështim i parlamentit të parë shqiptar. Akademiku Marenglen Verli, thotë se shqiptarët përtej kufirit të vendosur nga Konferenca e Londrës, u lanë në harresë.

“Çështja e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare të copëtuara u ngrit, por jo me insistimin që ka një çështje shumë e rëndësishme. Në trajtimin e çështjes së Kosovës do të mbeteshin në nivele dëshirash e retorike, por jo të alternativave konkrete që prodhojnë zgjidhje”.

E se fundmi, 100 vite parlamentarizëm shqiptar, duket se për Verlin kanë nisur e përfundojnë me të njëjtin justifikim. “Shpesh palët e kalojnë cakun e akuzave për probleme që pala tjetër e di shumë mirë s’e s’mund të jenë ndryshe dhe askush nuk ka hapësirë t’i trajtojë ndryshe, po të kishte radhën për të qeverisur”, u shpreh Verli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos