Pse u anulua Samiti i NATO-s në Tiranë? Demiraj: Rreziku nga sulmet kibernetike është në nivelin më të lartë

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 22:59 | Politikë

Dritan Demiraj, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, u shpreh se Samiti i NATO-s në Tiranë është anuluar sepse “Aleanca po përballet në këto momente me një nga periudhat më të vështira që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.

“Duhet të theksoj së pari se Aleanca po përballet në këto momente me një nga periudhat më të vështira që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Ka një luftë intensive në Ukrainë, por edhe nga një zgjerim i jashtëzakonshëm i aftësive jo vetëm ushtarake të Kinës. Gjithashtu, edhe tensionet në Lindjen e Mesme apo në Gadishullin e Koresë kanë ndikuar. Nga ana tjetër, intensifikimi i rrezikut të sulmeve kibernetike dhe i luftës hibride është në nivelet më të larta të mundshme”, tha Demiraj në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Kur u pyet se sa “faj” ka Shqipëria për këtë anulim, Demiraj u përgjigj: “Ne jemi shumë të vegjël, pavarësisht propagandës së kryeministrit. Samiti në Shqipëri, në rast se do të zhvillohet, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Së pari, zhvillohet në rajon dhe i rrit peshën Shqipërisë brenda Aleancës, pavarësisht se jemi vend i vogël. Gjithashtu, ndikon në rritjen e sigurisë në rajon. E fundit, në gjykimin tim modest, është vazhdimi i procesit të integrimit të përbashkët ushtarak të ushtrisë shqiptare, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Duke marrë parasysh se kapacitetet ushtarake janë krejtësisht modeste, do të duhej që të gjitha pajisjet të ishin të përbashkëta, të një firme, që të kishin mundësi të arrinin projeksionin e fuqisë në një drejtim të caktuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos