“Samiti i NATO-s në Tiranë mund të bëhet online”, Qafoku zbulon idenë, Shala: Vendimi është që të mbahet në Shqipëri

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 22:59 | Politikë

Gazetari Roland Qafoku dhe eksperti i sigurisë Xhavit Shala kanë folur për zhvillimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, mundësinë e ndryshimit të formatit të tij, si dhe ndikimin që mund të ketë situata politike në vend.

Të ftuar në studion e emisionit “Off the Record”, me Andrea Dangllin në A2 CNN, ata diskutuan mbi pikëpyetjet që shoqërojnë organizimin e samitit, ndërsa Qafoku zbuloi se mes ideve të hedhura është edhe zhvillimi i tij online.

 “Ka një ide që mund të bëhet online, është edhe kjo mundësi”, u shpreh Qafoku.

Nga ana tjetër, Shala theksoi se vendimi për mbajtjen e samitit në Tiranë është marrë dhe se, deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ndryshimin e vendit organizator.

“Ka një vendim në samitin e fundit që samiti i radhës do të mbahet në Tiranë. Ndërkohë, nuk ka një vendim që samiti nuk do të mbahet në Tiranë”, deklaroi Shala.

Duke iu referuar protestave dhe situatës politike në Shqipëri, eksperti theksoi se organizimi i samitit nuk varet nga dëshirat apo qëndrimet politike të aktorëve të ndryshëm, por nga vendimet zyrtare të NATO-s.

“Është vendosur që të bëhet në Tiranë. Nëse nuk bëhet, atëherë do të ketë një njoftim tjetër që nuk bëhet”, u shpreh Shala.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos