
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi ka dërguar një mesazh me rastin e 12-vjetorit të anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.
“Anëtarësimi në NATO ishte kurorëzimi i arritjeve dhe kontributeve të Shqipërisë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen. Gjatë këtyre 12 vjetëve Shqipëria është sprovuar si një anëtare e denjë e Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e saj në ndihmë të paqes e sigurisë në disa rajone të planetit. Shqipëria, me rrënjë, kulturë dhe aspirata euro-atlantike, arriti para 12 vjetësh në një nga stacionet perëndimore të saj, në atë të sigurisë dhe paqes”, ishin fjalët e kryetarit të Kuvendit.
Ruci vijoi duke evidentuar se Shqipëria sot ndodhet “në portat e BE-së, stacionit të zhvillimit e mirëqenies, dhe të gatshëm për çeljen e negociatave. Me mbërritjen në këtë stacion, Shqipëria dhe shqiptarët i japim fund pozicionit asimetrik midis identitetit tonë europian, pozicionit tonë euro-atlantik dhe të cilët po vijohen e plotësohen nga bashkimi me familjen europiane dhe kthimin e plotë në habitatin politik europian. Shqipëria në NATO dhe në portat e BE-së janë meritë e të gjithë shqiptarëve.
Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin e Strasbourg/Kehl, më 4 prill 2009. Më 7 prill 2009, në në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO. (A2 Televizion)